Vllaznia niset drejt Bosnjes, nis faza intensive e përgatitjes për ndeshjet e “Conference League”

Vllaznia vijon prej ditësh fazën përgatitore në prag të nisjes së aventurës në Kupat Evropës.
Pas dhjetë ditëve stërvitje në Shkodër, kuqeblutë janë nisur ditën e sotme drejt Bosnje- Hercegovinës për të zhvilluar atje pjesën me intensive të përgatitjeve për ndeshjet e “Conference League” që do të zhvillohen muajin e ardhshëm.
Kuqeblutë kanë zgjedhur sërish kampingun e Medjugorjes për t’u akomoduar nisur nga kushtet e mira që ofron ai si në hoteleri, por edhe në fushat e stërvitjes që janë në gjendje shumë të mirë dhe shumë afër me strukturën akomoduese.
Gjatë kësaj periudhe, stafi teknik ka në plan edhe zhvillimin e dy apo tre ndeshjeve miqësore, teksa mbetet për t’u mësuar edhe emrat e kundërshtarëve dhe datat se kur do të luhen ato.
Në shortin e dy ditëve më parë, që u hodh në në Nyon të Zvicres, goglat kanë përcaktuar që Vllaznia do të përballet me islandezët e Valur.

Nëse Vllaznia do të kalojë islandezët , shorti ka përcaktuar se raundin tjetër të përballen me skuadrën skoceze St Mirren.