Vllaznia nuk ndalet, mposht Erzenin dhe ngjitet në vendin e tretë
Vllaznia konfirmon formën e mirë që po kalon dhe merr suksesin e pestë radhazi në kampionat, pasi ka mposhtur në Rrogozhinë me rezultatin minimal 1-0 Erzenin. Një gol i mbrojtësit Stojanoviç në minutat e fundit të takimit i ka dhuruar një trepikësh të artë skuadrës shkodrane, që pas kësaj fitoreje parakalon Tiranën në renditje dhe ngjitet në vendin e tretë (32 pikë).
Ka qenë një sfidë e luftuar ajo e luajtur në “Egnatia Arena”. Vllaznia dominon minutat e para, por më pas Erzeni fiton terren dhe nis të rrezikojë portën e Qarrit. Shkodranët pretendojnë 2 penallti (nga një në secilën pjesë), por gjyqtari Ferataj dhe VAR nuk akordojnë asnjë prej tyre.
Kur dukej se sfida dukej se do të përfundonte në barazim, Stojanoviç përfiton nga një dalje jo e mirë e portierit Puja dhe dërgon në rrjetë topin. Vllaznia fiton 1-0 përballë Erzenit, merr suksesin e pestë radhazi në kampionat dhe ngjitet në vendin e tretë në renditjen e Superiores. Shijakasit mbeten në vendin e tetë në klasifikim, me 22 pikë të grumbulluara në 20 javë kampionat.
Abissnet Superiore – Java e 20-të
Erzeni-Vllaznia 0-1
(Stojanoviç 86’)
96’- Erzeni i afrohet golit të barazimit, por nuk arrin që të shënojë, pasi gjuajtja e Marzouk përfundon jashtë
90’ – Akordohen 7 minuta shtesë
86’ – GOOOOOOOL Zhbllokohet sfida në Rrogozhinë. Stojanoviç kalon në avantazh Vllazninë, pasi përfiton nga një gabim i portierit Puja dhe dërgon topin në rrjetë. 1-0 për Vllazninë
74’ – Erzeni i afrohet golit të avantazhit me Zekën, por gjuajtja e tij nga distanca përfundon ngjitur me shtyllën
64’ – Vllaznia pretendon penallti, pasi Atanda pengon Balajn në zonë. Rasti verifikohet në VAR për disa minuta dhe më pas gjyqtari Ferataj pasi shikon edhe vetë pamjet në monitor vendos se nuk ka 11-metërsh për Vllazninë
51’ – Vllaznia tenton portën nga distanca, por gjuajtja e Smajlit përfundon mbi traversë
50’ – Erzeni ka nisur më mirë pjesën e dytë, duke sulmuar në kërkim të golit të avantazhit
46’ – Nis pjesa e dytë
Mbyllet në barazim pa gola 0-0 pjesa e parë në Rrogozhinë mes Erzenit dhe Vllaznisë. Shkodranët nisën më mirë takimin, por shijakasit u rritën me kalimin e minutave. Gjithçka në ekulibër pas 45 minutave të para të sfidës.
40’ – Vllaznia pretendon një penallti për prekje topi me dorë në zonë, por për gjyqtarin loja duhet të vazhdojë
38’ – Erzeni i afrohet golit me Komolafe, që godet me kokë në zonë, por grushton portieri Qarri
30’ – Edhe Erzeni fillon të shohë përpara. Shijakasit i afrohen portës së Vllaznisë në disa raste, por nuk arrijnë që të finalizojnë si duhet
22’ – Sërish Vllaznia që i afrohet golit. Balaj tenton portën nga një goditje standarde, por grushton portieri Puja
17’ – Vllaznia i afrohet golit të avantazhit. Juriç godet me kokë, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Luajnë më mirë shkodranët, që po vënë në vështirësi skuadrën shijakase
10’ – Minuta të qeta në Rrogozhinë. Vllaznia është më kërkuese dhe ka spostuar lojën në gjysmëfushën e Erzenit, por mungojnë rastet e pastra për shënim
Luhet në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës sfida Erzeni-Vllaznia, e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit. Shijakasit synojnë fitoren që ti largohen zonës së ftohtë, ndërsa shkodranët duan tre pikët që të ngjiten në vendin e tretë në renditje.
Formacionet zyrtare:
ERZENI: Puja, Maliqi, Sadiki, Atanda, Zogaj, Alba, Migone, Kahrimanoviç, Zeka, Mihana, Paul Komolafe.
Trajner: Alfred Deliallisi
VLLAZNIA: Qarri, Smajli, Juriç, Stojanoviç, Hakaj, Boshnjaku, Alivoda, Çoba, Mala, Gruda, Balaj.
Trajner: Qatip Osmani