Vllaznia nuk ndalet, mund edhe Skënderbeun
Penallti e finalizuar me sukses, gol i anulluar dhe karton i kuq, ndodh gjithçka në sfidën e luajtur në Korçë, atë mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e cila u mbyll me rezultatin 1-0 për kuqeblutë, e vlefshme për javën e 27-të të Superiores.
Një ndeshje që nisi e kujdesshme për të dyja skuadrat, e cila mori ritmin e duhur me kalimin e minutave, me skuadrën korçare që u shfaq më kërkuese. Por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, me kuqeblutë që pretenduar për një 11-metërsh në fund, por për gjyqtarin dhe VAR, gjithçka ishte e rregullt.
Edhe në pjesën e dytë ishin korçarët që tentuan diçka më shumë dhe në minutën e 58-të arritën të gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Ramos, por me rishikimin e VAR, gjithçka u anullua për një prekje të topit me dorë.
Dhjetë minuta më vonë, përsëri prekje e topit me dorë, përsëri Ramos, por këtë here episodi ndodh brenda zonës korçare dhe pas rishikimit me VAR, gjyqtari akordon penallti. Balaj mer përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe nuk gabon, 1-0.
Në fund të takimit, Vllaznia mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të dhënë për Krymin pas një nderhyrja të gabuar në dëm të Liços. Ndërkohë, korçarët tentuan deri në fund, Rabiu ishte i pafat me një goditje nga distance, e cila kaloi ngjitur me shtyllën, rezultati mbeti i pandryshuar.
Vllaznia i gëzohet fitores 1-0 dhe ngjitet në vendin e dytë me 49 pikë, 2 më pak se Egnatia kryesuese, ndërsa Skënderbeu mbetet në kuotën e 37 pikëve në vend të katërt.