Vllaznia-Partizani në RTSH, Brdariç: Luajmë para tifozëve, duam fitoren

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Partizanit, që do të zhvillohet nesër në orën 16:30 në “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 2. Tekniku i shkodranëve vlerëson kundërshtarin, por thekson se kuqeblutë duhet të shfrytëzojnë momentin jo të mirë të rivalëve, që të marrin maksimumin nga kjo përballje.
“Është ndeshje e madhe kundër Partizanit, duhet të jemi sa më të përgatitur. Nesër luajmë para tifozëve tonë dhe objektivi është vetëm fitorja. Ndeshen 4 ekipet e “Final Four”, do jetë vendimtare për në vazhdimësi, por ne shohim veten tonë.
Momenti i keq i Partizanit? Duhet ta marrim këtë moment në avantazhin tonë. Partizani kurrë nuk duhet të nënvlerësohet, ekip i madh me mjaft cilësi. Ndryshuan trajnerin, patën probleme për të zgjidhur dhe duhet të përdorim mundësitë, të shënojmë, të mbajmë portën e paprekur dhe të marrim pikë nesër”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Vllaznisë.