Vllaznia projekton formacionin anti-Valur, përpos Grudës, mungojnë edhe Deliu me kartonë dhe Bajrami i dëmtuar
Pasditen e së mërkurës, Vllaznia ka zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, seancën e fundit anti-Valur, e vlefshmë për UEFA Conferencë League. Një seancë, të cilën e ndoqi nga afër edhe presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, ndërkohë që pati momente të takohej prej së afërmi me stafin teknik, drejtorin sportiv dhe futbollistët. E ndarë në dy grupe, tekniku i parë Thomas Brdariç në njërën anë me futbollistët e projektuar të luajnë në formacion nga minuta e parë, si dhe në anën tjetër dy ndihmësit e tij, Sinani dhe Borshi me pjesën tjetër të skuadrës, kuqeblutë konsumuan rreth 60-të minuta me ushtrime të përgjithshme. Në radhët e kuqebluve janë të konfirmuar tre mungesa serioze, duke nisur nga Gruda që vazhdon të vuajë prej kohësh dëmtimin e tij, Deliu i skualifikuar me karton të kuq nga ndeshja e parë në Islandë dhe Bajrami, të cilin ndeshja e parë në transfertë e ka lënë me pasoja dëmtimi. Me aq sa u pa në fushën stërvitore, për dy mungesat e fundit, Deliun dhe Bajramin, Brdariç ka menduar t’i zëvendësojë me Alivodën dhe brazilianin Jago. Ndërkohë, pjesa tjetër e formacionit është ajo që u aktivizua në ndeshjen e parë të luajtur në Rejkjavik. Menjëherë pas përfundimit të seancës së djeshme, skuadra kuqeblu ka lënë qytetin e Shkodrës duke u grumbulluar në një nga hotelet në periferi, ku do të qëndrojë deri rreth dy orë përpara fillimit të ndeshjes. Nga sa mësohet, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për të motivuar skuadrën drejt kualifikimit ka vendosur një premio të konsiderueshme për fitoren e ndeshjes së sotme. Ndeshja, Vllaznia-Valur luhet sonte në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 20:30 dhe do të transmetohet nga TVSH dhe RTSH Shkodra.