Vllaznia U-21 barazim me Bylisin/ Supergol i Deniljo Molecit, premton fitore javën e ardhshme
Vllaznia U21 e drejtuar nga trajneri Ergi Borshi ishte mysafire për javën e pestë të Superligës U21 në qytetin e Ballshit duke u ndeshur me ekipin kryesues të Bylis. Edhe pse me kontigjent jo të bollshëm, ku në mungesë të futbollistëve të ekipit të parë, tekniku Borshi u detyrua të hedhë në fushën e lojës edhe lojtarë 17 dhe 19 vjeçar, kuqeblutë ia dolën të frenonin ballshiotët në shtëpi. Vendasit, kaluan të parët në avantazh në minutën e 6, ndërkohë që në minutën e 80-të një gjuajtje spektakël nga 30 metra distancë nga Deniljo Moleci i jep barazimin Vllaznisë.Në aspektin personal, Moleci është i kënaqur me minutat që po merr nga trajneri Borshi, ndërsa premton se pas katër barazimeve, fitorja e parë për Vllazninë U21 do të vijë javën e ardhshme ndaj Korabit.Pas javës së pestë, tabelën e klasifikimit e kryeson Bylisi me 13 pikë, i ndjekur nga Tirana dhe Partizani nga 12 dhe 10 pikë.