Vllaznia vetëm barazim me Partizanin/ Kuqeblutë nuk fitojnë me një futbollist më shumë në fushë
Është mbyllur barazim me rrjeta të paprekura sfida mes Vllaznisë Partizanit në “Loro Boriçi”. Ndeshja e luajtur pasditen e së enjtes për llogari të javës së tretë të Abissnet Superiore paraqiste interes për të dyja skuadrat, të cilat konsiderohen si pretendente për fitimin e titullit kampion. Për Vllazninë, e cila vinte pas dy ndeshjeve disi të lehta ndaj kundërshtarëve modestë, Kukësi dhe Erzeni, përballja me Partizanin rival, ishte një test serioz për të konstatuar gjendjen reale të skuadrës në këtë start sezoni futbollistik. Ndeshja nis me një avantazh për kuqeblutë, kur që në minutën e 14-të arbitri kryesor ndëshkon me karton të kuq futbollistin e Partizanit, Maget . Të krijohet se me këtë avantazh numerik, duke qënë me një futbollist më shumë në fushën e lojës, Vllaznia do at kishte më të lehtë të gjente golin e avantazhit dhe të fitonte ndeshjen. Megjithatë, ishin të kuqtë që rrezikuan më shumë në vijimin e pjesës së parë, teksa krijuan raste dhe goditën edhe traversën me anë të Rrapajt. Në pjesën e dytë, Vllaznia e nisi vrullshëm por duke krijuar pak raste para portës të Partizanit. Portjeri veteran i Partizanit Alban Hoxha që zëvendësoi në këtë ndeshje kolegun e tij të aksidentuar tre ditë më parë Qirko, i përgjigjet goditjes së Boshnjakut nga distanca. Më pas, skuadrat bënë një lojë mjaft të kujdesshme, duke u kujdesur më shumë për të mos pësuar, sesa për të shënuar. Minutat e mbetura nuk prodhuan diçka konkrete, përveç një roveshate të Bruno Gomes i aktivizuar në minutat e fundit të takimit. Vërshëllima e fundit e arbitrit ndërkombëtar Enea Jorgji fikson shifrat e barabarta, 0 me 0 duke bërë që Vllaznia dhe Partizani të mjaftohen me nga një pike në këtë ndeshje. Një barazim, që më shumë nxjerr të fituar Partizanin, i cili rezistoi mbi 80-të minuta me një futbollist më pak në fushën e lojës pa pësuar gol, madje duke qënë shumë herë kërcënues për të shënuar golin e fitores. Nga ana tjetër, Vllaznia shpërdoroi një mundësi të mirë për të marrë tre pikë shumë të rëndësëishme. Loja e saj nuk u ngjit për asnjë moment në nivelin e kërkuar, madje, hera herës të krijohej përshtypja që ishte Vllaznia me një futbollist më pak dhe jo Partizani.