Vllaznisë i ikën fitorja nga duart
Vllaznia e pafat, pëson gol në minutën e 90’+9 dhe e mbyll ndeshjen e parë në transfertë përballë islandezëve të Valur në barazim 2-2, e vlefshme për raundin e parë të Conference League.
Kuqeblutë pësuan gol që në minutën e 12-të(gol nga Tryggvason), por arritën të barazojnë në minutën e 23-të me anë të Krymit, 1-1, rezultat që mbylli dhe pjesën e parë.
Në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 82-të kuqeblutë mbetën me 10 lojtarë pasi Deliu mori të verdhën e dytë, duke u larguar kështu nga fusha e lojës.
Gjithsesi, Kevin Dodaj, i aktivizuar në minutën e 80-të në vend të Kahrimanovic, arriti të kalojë shkodranët në avantazh pas pesë minutash.
Atëherë kur dukej se gjithçka kishte mbaruar, islandezët arritën të vendosin barazpeshën në minutën e 9-të të shtesës me anë të Heimisson, ndërkohë që gjyqtari i sfidës kishte dhënë 6 minuta shtesë. Protesta në fund të kuqebluve për një fitore që u iku nga duart dhe që do i afronte më shumë me kualifikimin.