VMRO-DPMNE me kandidate për presidente, Taravari propozon zgjedhjen nga Kuvendi
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Prof. Gordana Siljanovska është e vetmja që ka dorëzuar kandidaturën për postin e presidentes.
Znj. Siljanovska, një profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe ish-pjesëtare e qeverive të paspavarësisë së Maqedonisë, ishte kandidate edhe në vitin 2020 përballë kandidatit të socialdemokratëve (LSDM), Stevo Pendarovski, i cili në fund fitoi edhe me mbështetjen e partive shqiptare.
Këtë vit, sondazhet tregojnë se VMRO-DPMNE e ka rritur avantazhin ndaj LSDM-së në pushtet dhe aleatit të saj shqiptar, BDI.
Deri tani, për presidencën e Maqedonisë së Veriut kanë shpallur ambicien Arben Taravari nga radhët e opozitës shqiptare dhe Biljana Vankovska e partisë Levica.
Z. Taravari propozoi një ditë më parë që presidenti i vendit në të ardhmen të votohet nga Kuvendi.
“Unë dhe partnerët e mi do të angazhohemi që në kushtetutë të përfshihen tri elemente: futja e bullgarëve, heqja e 20-përqindëshit dhe presidentin e shtetit ta zgjedhë Kuvendi… Ftojmë shqiptarët dhe BDI-në që të mbështesë vizionin tim dhe kandidaturën time,” tha z. Taravari.
Maqedonia e Veriut ka caktuar 24 prillin si raundin e parë të garës presidenciale, ndërsa raundi i dytë do të organizohet së bashku me zgjedhjet e përgjithshme më 8 maj.