Categories: Lajme

VOA/ Raporti i Brukselit për Shqipërinë: Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz

“Pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz”. Ky është vlerësimi i raportit për Shqipërinë, i cili pritet të miratohet sot në Bruksel. Sipas dokumentit, vendi “ka njëfarë niveli përgatitjeje” në luftën kundër këtij fenomeni, i cili shihet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cenueshëm të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”. Raporti vë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme në disa raste të nivelit të lartë, por megjithatë Komisioni europian thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”.

Të njëjtat vlerësime, për “njëfarë niveli përgatitje”, janë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm”. Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”.

Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti.

Këto çështje janë pjesë e grupkapitullit të parë me të cilin Shqipëria do të duhet të përballet në momentin e uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhe ato që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrate publike, apo dhe kriteret ekonomike, prokurimi public, statistikat dhe kontrolli financiar.

Lidhur me kriteret politike, raporti vlerëson se “skena politike vijon të shënjohet nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”. Ndërsa sa i takon qeverisë, raporti vë në dukje se “ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE”.

Lidhur me administratën publike “Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar”, thekson raporti. Ndërsa sa i takon të drejtave themelore, “përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen”.

Raporti flet për një “përparim të kufizuar” në fushën e lirisë së shprehjes, ku vlerësohet se “Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje”. Shqetësimet mbeten të njejta me të kaluarën, ndërsa theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”.

Kolegji i komisionerëve pritet të miratojë sot, përveç raporteve të veçanta për secilin vend, edhe dokumentin mbi strategjinë e zgjerimit si dhe planin e ri të rritjes të paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Përkujtohet 80-vjetori i Çlirimit/Homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” në Shkodër

Në Shkodër është përkujtuar 80-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.Në nderim të kësaj…

16 hours ago

Kombëtarja e vajzave test miqësor/Vijojnë përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë

Kombëtarja e vajzave po vazhdon përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Rumanisë, e cila do të…

16 hours ago

Inertet në brigjet e Kirit/Banorët: Depozitimi i mbetjeve po dëmton shtratin e lumit

Kjo është situata aktuale pranë brigjeve të lumit Kir, në afërsi të fshatit Kuç, në…

16 hours ago

Fluksi në pikat kufitare/ Shqiptarët zgjedhin të festojnë jashtë vendit

Ndikuar edhe nga fundjava qytetarë të shumtë i janë drejtuar Malit të Zi për të…

16 hours ago

Arrestohet në Muriqan 30-vjeçari/Albion Durakoviç ishte në kërkim për përdhunim nga një gjykatë e Francës

Nga 29 korriku i këtij viti rezultonte në kërkim ndërkombëtar, ndërsa këtë të premte u…

16 hours ago

Moti i keq përfshin Shqipërinë, ARRSH: Qarkullim pa probleme i mjeteve!

Moti i keq me reshje shiu dhe bore që ka përfshirë një pjesë të territorit…

17 hours ago

This website uses cookies.