Volejboll femra, Paris 2024: Turqia fiton “betejën” ndaj Kinës dhe shkon në gjysmëfinale
Një ndeshje spektakolare, e luftuar dhe plot emocione ka qenë çerekfinalja e volejbollit për femra mes Kinës dhe Turqisë, e transmetuar drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Vajzat turke kanë mposhtur rivalet kineze me rezultatin 3-2 dhe janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Lojërave Olimpike Paris 2024. Kundërshtari i ardhshëm do të jetë fituesi i sfidës Itali-Serbi.
Kina fitoi setin e parë 25-23, por Turqia përmbysi gjithçka duke fituar 2 setet pasardhëse (25-21 dhe 26-24). Kinezet reagojnë dhe barazojnë rezultatin duke fituar setin e 4-t 25-21. Edhe seti final ka qenë i luftuar, por në fund janë vajzat turke ato që fitojnë 15-12 dhe kualifikohen në gjysmëfinale në volejbollin e femrave në Paris 2024.