Von der Leyen: Mali i Zi të fokusohet te e ardhmja në BE
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri një thirrje Malit të Zi që të përqendrohet plotësisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan .
Duke folur të martën në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Jakov Milatoviç, ajo tha se Mali i Zi është më pranë rrugës drejt anëtarësimit në Union se sa vendet e tjera kandidate.
”Dhe të jep kënaqësi fakti kur sheh se si edhe lidershipi i ri në Podgoricë është i vendosur të vazhdojë këtë rrugë të virtytshme”, theksoi von der Leyen .
Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian përkoi me përfundimin e proceseve institucionale për formimin e parlamentit të ri dhe qeverisë së re të Malit të Zi, pas zgjedhjeve politike qershorin e kaluar.
Pas zgjedhjes së Andrija Mandiç si kryetar i ri i parlamentit, të martën në mëngjes qeveria e re e kryeministrit Milojko Spajiç, lider i një force politike reformiste dhe pro evropiane, mori besimin.
Shpresa mbetet te një rifillim i kursit të reformave, pas viteve të fundit të krizës institucionale dhe paqëndrueshmërisë politike që kanë ndikuar negativisht në rrugën evropiane të vendit.
Von der Leyen shprehu kënaqësinë për përafrimin e plotë të vendit ballkanik me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke shpresuar në të njëjtën kohë për një afrim të ekonomive të tyre përkatëse.
”Mali i Zi ka potencialin për t’u bërë një furnizues kryesor i energjisë elektrike në rajon, ashtu si një treg i përbashkët rajonal, që ka gjithashtu perspektiva të konsiderueshme. Nëse e gjithë kjo do të arrihej, mund të arrihej një rritje prej 10% e PBB-së në të gjithë rajonin e Ballkanit”, theksoi ajo.
“Është diçka nga e cila duhet të përfitohet”, vuri në dukje ajo duke nënvizuar se si reformat janë të nevojshme për këtë qëllim, kryesisht në fushën e tranzicionit dixhital dhe modernizimin e sektorit energjetik.
Presidenti Milatoviç e përkufizoi si plotësisht realiste perspektivën e anëtarësimit të Malit të Zi në BE para vitit 2030.
”Mali i Zi nuk ka probleme të pazgjidhura me vendet fqinje, është anëtar i NATO-s dhe është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian në krahasim me të gjitha vendet e tjera kandidate. Vendi ynë është plotësisht në përputhje me politikën e BE-së dhe është i orientuar me bindje drejt një procesi politik të reformës dhe modernizimit. Këto elemente, të mbledhura së bashku, nuk gjenden në asnjë vend tjetër kandidat në BE”, vuri në dukje Milatoviç.