Vota e diasporës- Hyka: Pjesëmarrja mund të jetë e ulët, hapat e regjistrimit në aplikacion janë shumë të thjeshtë
Anila Hyka, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës e ftuar në studion e RTSH 24 është ndalur te rëndësia e votës së diasporës.
Hyka deklaroi se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 2025-ës mund të jetë e ulët, dhe kjo sipas saj, lidhet me faktin se qeveria dhe Parlamenti e miratuan shumë vonë votimin e shqiptarëve jashtë vendit.
“Na vënë përpara një situate ku sistemi duhet të jetë sipas kritereve e pritshmërive tona. Hapësira për ta testuar është shumë e vogël. Jemi në zonën e riskut. Ecejaket mes rregullatorit, KQZ, i shkurtojnë kohën pjesës së testimit, ndërgjegjësimit, pjesëmarrjeve. Këtu bëhet fjalë për një popullatë që është jashtë vendit me të drejtë vote, të paktën 1 milionë e 200 mijë.
Jemi të ndërgjegjshëm që herën e parë nuk do ketë një pjesëmarrje kaq të madhe sepse nuk e dimë sa do shkojë zëri ynë, besueshmëria. Pjesa e pritshmërisë lidhet me faktin se parlamenti dhe politika e mbajtën në tavolinë për një vit dhe nuk e miratuan, e miratuan në fund fare.
Jemi të mobilizuar nga grupe të ndryshme të diasporës duke biseduar dhe me forcat e tjera politike për t’i sqaruar dhe mbështetur.
Për punën e regjistrimit, dokumentacioni që duhet paraqitur. Po punojmë që të mbështesim si nga ana teknike dhe pjesa praktike në bazë të eksperiencave të shteteve të ndryshme”, u shpreh Hyka.
Në lidhje me aplikacionin apo platformën e posaçme që do administrohet nga KQZ, Hyka deklaroi se regjistrimi duhet të jetë sa më i thjeshtë.
Pyetur mbi mundësinë e manipulimit të votave, Hyka theksoi se garancia nuk është asnjëherë absolute.
“Në formatin që ne instistuam, kërkuam që regjistrimi të jetë sa më i thjeshtë. Pjesa e regjistrimit është aplikacion, pjesa më kryesore është ajo që do ndërtohet ku do ruhen e manipulohen të dhënat. Si do jetë kjo platformë do mbetet pjesë e bashkëpunimit tonë dhe e ekspertëve tanë.
Garancia nuk është asnjëherë absolute. Këto gjëra do i shohim me shumë vëmendje. Duke parë testimin e platformave, nga A deri në fund.
Nëse është platformë që do blihet dhe adaptohet, do sigurohemi që kompania që e ka ndërtuar ta ketë ndërtuar në bazë të standardeve ndërkombëtare, për të minimizuar mundësinë e manipulimit apo hakërrimit nga krimi kibernetik”, theksoi ajo.