Vota e diasporës, Klosi: PD kërkon të manipulojë procesin. Bardhi: E dini që emigrantët i keni kundër

Vota e diasporës, Klosi

Seanca e Kuvendit ka nisur me debate për ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votën e diasporës dhe kërkesën e opozitës për votimin me dokumente të huaja.

Deputeti socialist Blendi Klosi e cilësoi përfshirjen e emigrantëve në procesin zgjedhor, një politikë kombëtare dhe jopartiake. Ai akuzoi opozitën duke thënë se po përpiqet të manipulojë sistemin zgjedhor, duke ngritur një mekanizëm që mund të hedhë në erë sistemin e votës së diasporës.

Klosi sqaroi se nuk mund të lejohet vota e emigrantëve me dokumente të huaja, pasi nuk verifikohen dot nga regjistri i të dhënave kombëtare.

“Vota e diasporës padyshim është politikë kombëtare, nuk është politikë partiake. Sot fatkeqësisht edhe ky proces u bë pis nga politika dhe u fut në ato përplasjet e paimagjinueshme dhe të pajustifikuara të politikës së vjetër të përfaqësuar nga krahu i opozitës. Ne diskutojmë këtu gjëra alla-shqiptarësh, dy vjet mungoi PD në komisionin bipartizan që do të të kishte pasur mundësi të vendoste dhe testonte rregullat që çdo gjë të bëhej ashtu siç duhej, duke iu larguar përgjegjësisë që kanë për 2 vite. Kur kanë mbetur vetëm 15 ditë nga mbyllja e aftit të regjistrimit të emigrantëve vijnë këtu që të fusin sërish hilen në mes. Ata kërkojnë që çdonjëri që ka një celular të regjistrojë sa veta të dojë pa pasur një kontakt me database kombëtar, kjo do të hedh në erë sistemin. Emigrantët që nuk kanë dokument nuk verifikohen dot në database dhe nëse ata lejohen mund të hedhin në herë regjistrin e gjendjes civile pasi çdokush lehtësisht mund të gjerojë të dhëna dhe të regjistrohet. Edhe në Shqipëri nuk i kemi lejuar të votojnë me pasaportë të huaj dhe dokumente të huaja. Kjo është një hile dhe jo një dëshirë për të votuar sa më shumë shqiptarë. Kërkohet që të ndërtohej një mekanizëm që manipulohet shumë thjeshtë sa e gjithë kjo politikë kombëtare për kontributin e emigrantëve përmes votës duan ta hedhin në erë dhe ta degjenerojnë”, tha Klosi.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Gazmend Bardhi tha se vota e diasporës nuk rrezikohet nga përdorimi i dokumenteve biometrike që përdorin emigrantët, por sipas tij, kërcënohet nga blerja e votave prej përdorimit të administratës shtetërore nga ana e qeverisë.

 “Kolegët folën për rrezik të votës që ne po rrezikojmë sistemin zgjedhor se kemi propozuar që cilido që ka një dokument biometrik identifikimi ka të drejtë të votojë dhe Kodi Zgjedhor nuk specifikon nëse mjeti i identifikimit duhet të jetë i shtetit shqiptar. Na foli si në internet prodhohet një kartë e Belgjikë dhe Amerikës, po e Shqipërisë pse nuk u prodhohet? Zgjedhjet në Shqipëri i rrezikon ajo që po bëni ju prej muajsh, përdorimi i administratës shtetërore për zgjedhje. Në Dibër i ke dhënë urdhër çdo punonjësi të administratës shtetërore të sjellin listë me 10 emra të votuesve nga jashtë vendit. Nëse nuk t’i sjellin 10 emra, i rrezikohet vendi i punës. Kjo e rrezikon integritetin e zgjedhjeve, jo njohja e të drejtës të çdo bashkëqytetari që të ketë mundësi për të votuar. E rrezikojnë veprimet tuaja, sjellja e një armate drejtorësh e ministrash të korruptuar në çdo cep të vendit. Ju nuk doni që të votojnë të gjithë shtetasit shqiptarë sepse e dini që diasporën e keni kundër”, tha Bardhi.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.