Vota e diasporës, PD kallëzon në SPAK për shpërdorim detyre Kryetaren e Kuvendit
Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pengim për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mosrealizimin e votës së diasporës.
Në kallëzim, PD përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit e drejta e emigrantëve për të votuar po cenohet për shkak të boshllëkut ligjor dhe se është detyrim i Kuvendit që të plotësojë këtë boshllëk brenda një viti. Por, sipas tyre, Kryetarja e Kuvendit nuk ka krijuar kushtet për përmbushjen e këtij detyrimi.
PD akuzon Nikollën për tre shkelje duke renditur si të parin mos dërgimin brenda afatit të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit shqyrtimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli i Legjislacionit, duke penguar rrjedhimisht, sipas tyre, ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Po ashtu, sipas tyre, Këshilli i Legjislacionit kishte vendosur për t’i dërguar Komisionit për Reformën Zgjedhore fillimin e punës për plotësimin e boshllëkut ligjor të konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, por akuzojnë se ky material nuk është përcjellë administrativisht tek bashkëkryetarët e Reformës Zgjedhore.
Si shkelje të tretë të Nikollës, PD thekson se projektligjet e depozituara prej tyre për votën e diasporës nuk janë shqyrtuar.
Për sigurimin e votës së diasporës janë ndërmarrë disa nisma, por ende nuk ka një finalizim. Në mënyrë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se nevojitet që boshllëqet ligjore të plotësohen brenda këtij sesioni parlamentar.