Vota e diasporës, Topalli: Në SHBA dhe Kanada shumë shqiptarë janë pa dokumente
Partitë politike në vend vijojnë takimet me diasporën në përpjekjen për t’i kërkuar votën për zgjedhjet e 11 majit, por duket se çështja e mjeteve të identifikimit vijon të jetë një problem për shqiptarët që jetojnë jashtë, të cilët mund të votojnë nga vendi ku jetojnë.
Koordinatorja e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, në një intervistë në emisionin “Zëri i Diasporës” në RTSH 24, thekson se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada ka një numër shumë të lartë shqiptarësh të cilët nuk kanë asnjë dokument shqiptar. Sipas Topallit, ky problem kërkon zgjidhje ligjore.
“Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, një pjesë shumë e rëndësishme nuk kanë dokumente shqiptare. Ky është një alarm dhe nuk do të ishim të ndershëm nëse ne themi që diaspora ka të drejtë të vendosë për çafër do ndodhë me vendin tonë në vitet e ardhshme, ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre nuk kanë letra. Është një numër shumë i lartë. Janë edhe disa që janë në Europë që i kanë skaduar dokumentet dhe kjo mund të riparohet, por ata kanë një problem të shtrirë në kontinentin amerikan që nuk kanë dokumente. Kjo kërkon zgjidhje ligjore dhe uroj të mos ja heqin të drejtën për të votuar”, u shpreh Topalli.
Ndalur te shqiptarët që jetojnë në Europë, Topalli u shpreh se problemi me adresat e banimit po i pengon ata të regjistrohen në platformën PER. Sipas Topallit, këto problematika e bëjnë të gjithë procesin vulnerabël.
“Shifrat flasin për diçka që nuk shkon. Pse nga 100 mijë kërkesa, 40 mijë të mos pranohen. Është 60 me 40%, gabimet mund të jenë deri në 5% maksimumi, të shkojë deri në 40%, rrezikon shumë. Ndodh që kryefamiljari regjistrohet, vendos dokumentin e pronësisë dhe i pranohet, aplikon fëmija dhe vendos të njëjtën adresë, nuk i pranohet sepse është regjistruari ati. Apo të rinj që marrin kontratën e qirasë në emër të të njërit, por këta katër apo pesë persona që jetojnë në të njëjtin apartament nuk mund të regjistrohen. Pra ka gjëra që duhen rregulluar dhe kjo e bën vulnerabël procesin”, deklaroi Topalli.