Vota e emigrantëve, politika ende larg konsensusit, Celibashi: Pikëpyetje nëse do të votojnë në 2025-ën
Votimi i qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote nga jashtë Shqipërisë, vijon të mbetet një fjalëkryq për vendimarrjen politike. Për momentin ende nuk ka një rrugëzgjidhje për këtë çështje, duke ngritur shumë pikëpyetje nëse shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Kjo çështje ishte edhe kryefjala e konferencës “Votimi nga jashtë vendit – rruga përpara”, në të cilën kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se “vota e diasporës po shkon drejt dështimit, nëse nuk do të arrihet në një konsensus politik”.
“Pa konsensus, e kemi vënë në dështim votimin nga jashtë. Konsensusi, në gjykimin tim, është domosdoshmëri. Do të kemi votim nga jashtë në 2025 nëse do të kemi rregullat për ta organizuar këtë votim? Si përgatitet lista? Si do të duhet të veprojnë ata që të përshihen në listën dhe si do të votojnë? Si do të llogaritet vota e tyre dhe si do përkthehet në mandate? Këto rregulla mungojnë.”, tha Celibashi.
Gjiknuri: Të lehtësojmë procedurat
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, mazhoranca mbështet votimin e diasporës.
I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Votimi nga jashtë vendit”, Gjiknuri tha se, ata zgjedhës që janë pjesë e Regjistrit të Gjendjes Civile, nëse shprehin dëshirën për të votuar, mendoj se e kanë mundësinë sot për të votuar dhe pastaj nëpërmjet një sistemi që edhe KQZ-ja e ka diskutuar më përpara që mbase ka të bëjë me sistemin postal. Unë të them të drejtën jam më pro sistemit me postë, sesa sistemit elektronik nga jashtë, sepse është gjithmonë më i diskutueshëm dhe do të dojë kohë që të fillojë të implementohet. Mendoj që mundësia ekziston”.
“Pra ne sot që flasim kemi 12 mijë zgjedhës, shtetas, që janë të regjistruar në këtë regjistër. Ajo çka na përket ne është të bëjmë një fushatë më të mirë ndërgjegjësimi. Të lehtësojmë procedurat. Bashkë edhe si parti politike, edhe si institucione shtetërore, t’i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë regjistrohuni sa më shumë në këtë platformë nëse doni të ushtroni të drejtën e votës”, tha ai.
“Mendoj që KQZ i ka të gjitha mundësitë dhe mendoj se ne nuk kemi nevojë të ribëjmë ligje nga e para”, tha Gjiknuri.
Sa i përket çështjes së llogaritjes së votës, Gjiknuri tha se, “më pëlqeu ajo që u tha këtu që nëse do të krijojmë një zonë elektorale të veçantë mund të krijojmë një disproporcion të votës, mund të krijojmë fenomene të pabarazisë së votës. Dhe mendoj se i kemi mundësitë, siç jemi sot që ta llogarisim votën në qarqet respektive, aty ku qytetarët kanë pasur banimin e tyre, ose aty ku ata kanë regjistrimin në gjendjen civile sepse del në Regjistrin e Gjendjes Civile”.
“Hapi i dytë është pastaj të hiqet nga ajo listë dhe të aplikojë këtë votë nga jashtë për t’u llogaritur tek rezultati i qarkut”, tha Gjiknuri.
“Unë e mbështes këtë proces. Është shumë e nevojshme. Shqipëria vërtet ka një elektorat të tkurrur. Ka nevojë për energji të reja, ka nevojë për pjesëmarrje të një publiku më të gjerë. Vota e diasporës është mëse e mirëpritur, sepse ata janë kontribuues. Po pse jo edhe pjesëmarrja aktive në jetën politike nëpërmjet votës, do t’i bëjë ata edhe më të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në vend. Pse jo edhe të jenë kandidatë, pse jo të marrin edhe pozicione drejtuese. Dhe kjo patjetër do të sjellë një shëndet më të mirë të administratës, të jetës politike shqiptare”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se, “si bashkëkryetar dhe si përfaqësues i PS ne e mbështesim. Të mos ngremë shumë pyetje, por të fokusohemi tek ato pak pyetje që kanë mbetur”.
“Kemi principin dhe praktikën. Për principin kemi rënë dakord. Tani është çështja e praktikës dhe këtu na nevojitet sa më shumë ekspertizë për të zgjedhur një model më të thjeshtë sesi ata mund ta ushtrojnë të drejtën e votës, duke shfrytëzuar gjendjen aktuale, arkitekturën në fuqi ligjore dhe teknike që është tashmë duke funksionuar”, u shpreh Gjiknuri.
Soreca: E drejta për të votuar është një e drejtë e rëndësishme
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca kërkoi sot garantimin e votës së emigrantëve, pavarësisht sfidave dhe problemeve që sjell ky proces.
I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Votimi nga jashtë vendit”, Soreca tha se kjo është një e drejtë shumë e rëndësishme, teksa theksoi se, Shqipërisë do t’i duhet të vendosë si ta vërë në zbatim votimin nga jashtë vendit.
Po ashtu, ai theksoi se, Shqipëria duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor, duke përmendur fshehtësinë e votës, garën e drejtë dhe përfaqësimin e drejtë.
“E drejta për të votuar është një e drejtë e rëndësishme politike e njeriut dhe në botën që jetojmë, t’u ofrosh qytetarëve që jetojnë jashtë që të votojnë në vendin e origjinës, është shumë e rëndësishme dhe gjëja e duhur për t’u bërë. Sa i përket votimit nga jashtë vendit, është shumë e rëndësishme, pavarësisht sfidave që sjellë ky opsion. Nuk është e lehtë dhe ka sfidat e veta është një ndërmarrje e madhe administrative dhe kosto të mëdha financiare. Shumë vende kanë patur probleme për të gjetur formulën e duhur, por kjo do të thotë se ka shumë ku të mësosh. Në fund Shqipërisë do t’i duhet të vendosë si ta vërë në zbatim votimin nga jashtë vendit. Do të duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor, si p.sh., fshehtësinë e votës, garën e drejtë, përfaqësimin e drejtë. Kur të krijohet ky sistem i ri, ne besojmë që është i një rëndësie shumë të madhe që procesi të jetë i gjerë sa i përket konsultimit dhe të kërkohet konsensusi i të gjithë aktorëve të përfshirë”, u shpreh Soreca.
Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Soreca u shpreh duhet të vendoset në mënyrë konsensuale “dhe nuk ka rrugë tjetër veç saj”.
“Dëshiroj të nxis të gjitha palët që t’i vënë në zbatim pa vonesë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese për proceset zgjedhore. BE ka qenë dhe vijon të jetë mbështetës i Shqipërisë për të fuqizuar sistemin zgjedhor. Fuqizimi i funksionimit të institucioneve demokratike është në thelb të misionit tonë të BE në Shqipëri si dhje një nga kërkesat thelbësore të anëtarësimit në BE. Ne vazhdojmë të kërkojmë një këmbëngulje ndërpartiake për këto çështje, Reforma Zgjedhore duhet të vendoset në mënyrë konsensuale dhe nuk ka rrugë tjetër veç saj”, theksoi Soreca.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se mundësia teknike është, por thjesht duhet vendosur nëse do të ndërmerren të gjithë hapat për votën e diasporës.
“Zgjidhjet teknike janë. Ne duhet të ndajmë mendjen nëse duhet ta synojmë këtë për 2025 apo jo? Nëse nuk bëjmë veprime konkrete nuk arrijmë gjë”, tha Bylykbashi.
Edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca kërkoi garantimin e votës së emigrantëve, pavarësisht sfidave dhe problemeve që sjell ky proces.
“Do të duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor, si p.sh., fshehtësinë e votës, garën e drejtë, përfaqësimin e drejtë. Ne besojmë se është e një rëndësie shumë të madhe që procesi të jetë i gjerë dhe të kërkohet konsensusi i të gjithë aktorëve të përfshirë”, u shpreh Soreca.
Përvoja në Kosovë
Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk mund të votojnë ndryshe, por vetëm me postë, e jo sikurse shumë vende tjera që këtë çështje e kanë të rregulluar me ligj që mund të votojnë në misionet e tyre diplomatike.
Një gjë e tillë për Kosovën nuk është e paraparë me ligjin për zgjedhjet. Vitin e shkuar kishte një nismë për amendimin e ligjit për zgjedhje që votimi i diasporës kosovare të bëhej në misione diplomatike, por kjo nuk u bë.