Vota e emigrantëve/ Premto Gogo në “Ekspres”: Sfidë e vërtetë. Domosdoshmëri që qytetarët të besojnë në procesin zgjedhor
“Një sfidë e vërtetë”, kështu e ka konsideruar eksperti zgjedhor nga organizata KRIIK, Premto Gogo mundësimin e votës së emigrantëve deri në vitin 2025. I ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, Gogo nuk i kurseu kritikat ndaj partive politike në vend, teksa u shpreh se nuk kanë vullnet për të çuar përpara reforma për të mirën3e vendit, por shohin përfitime politike.
“Vota e emigrantëve është një sfidë e vërtetë dhe unë nuk e imagjinoj dot që Parlamenti t’i dalë kundër vendimit Gjykatës Kushtetuese, çka do të thotë që deri në janar mos ta adresojë këtë gjë, por nuk është hera e parë që ndodh kjo në Shqipëri. Nuk imagjinohet që të ketë një sjellë të tillë agresive nga maxhoranca, po flas për procedurat në parlament apo për konsiderimin e Gjykatës Kushtetuese. Kam përshtypjen që janë shkëputur nga realiteti. Vota e emigrantëve mund të bëhet në moment të fundit kur shikojnë që nëpërmjet tyre mund të fitojnë. Kanë një mungesë totale të transparencës. Ne i kemi kërkuar zv.ministrit për taskforcën e krijuar që nuk u mblodh asnjëherë dhe ka refuzuar nuk ka sjellë informacion”, u shpreh ai.
Sipas Gogo, është domosdoshmëri që qytetarët të kenë besim në procesin zgjedhor, pasi në të kundërt nuk legjitimohet asnjë pushtet. Ai theksoi se duhet një rol më aktiv i medias dhe shoqërisë civile.
“Ajo që vuan në të gjithë këtë është e ardhmja demokratike e vendit, duke mos patur qytetarët besim në procesin zgjedhor, nuk mund të legjitimohet asnjë lloj pushteti. Duhet një rol më aktiv i medias dhe i shoqërisë civile për të bërë presionin e duhur dhe hequr dorë nga raportet relativizuese që bëjnë”, deklaroi Gogo.