Votimi i emigrantëve, vota llogaritet ku ata kanë gjendjen civile
Votat e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe që do të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, do të llogariten në favor të atyre zonave zgjedhore ku këta votues kanë regjistrimin në gjendjen civile.
Fletet e votimit të emigrantëve apo shqiptarëve që për arsye pune, studimi apo të tjera ndodhen në kohën e zgjedhjeve jashtë Shqipërisë do të numerohen në KQZ. Kjo e bën më të thjeshtë edhe procedurën për vetë KQZ. Ky institucion do të ketë të drejtën si i vetmi institucion që do të administrojë vullnetin politik të diasporës.
Regjistrimi i shqiptarëve jashtë kufijve do të bëhet përmes një platforme elektronike, e cila do të krijohet nga KQZ. Në këtë platformë shetetasit shqiptarë do të jenë të detyruar të deklarojnë adresën e banimit jashtë Shqipërisë, në mënyrë që KQZ t’u dërgojë fletën e votimit për zgjedhjet e vitit 2025.
Psh, në rast se një shqiptar ka të rregjistruar gjendjen civile në Kukës apo Fier, vota e tij që do të vijë me postë në Shqipëri, do të llogaritet në favor të rezultatit të kandidatëve për deputete të qarkut Kukës apo Fier.
Votat e emigrantëve do të numërohen pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit brenda Shqipërisë.
Kjo e bën të gjithë procesin edhe më interesant. Kjo pasi në qarqet ku do të ketë rezultat të ngushtë, vota e emigrantëve për deputetët e ardhshëm do të jetë përcaktuese.