Vrasja e 14-vjeçarit, ambasadori i OSBE: Konfliktet mes të rinjve duhet të na angazhojnë të gjithëve
Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran kërkoi që të gjithë hallkat e shoqërisë, jo vetëm policia, të marrin përgjegjësinë për të luftuar dhunën dhe bullizmin tek të rinjtë.
Teksa ka reaguar për vrasjen e 14-vjeçarit në Tiranë nga bashkëmoshatari i tij, Tarran e cilësoi ngjarjen si tronditëse dhe theksoi se përdorimi i armëve të ftohta në konflikte mes të rinjve është një shqetësim që duhet të angazhojë të gjithë shoqërinë.
“Kjo është vërtet një fatkeqësi dhe tregon se sa e rëndësishme është puna që bëjmë së bashku në si OSBE dhe shoqëria civile kundër përdorimit të armëve të lehta. Aktualiteti tregon se është një problem që duhet të merremi të gjithë, se është një bashkëpunim mes bashkisë, policisë ,prokurorisë dhe arsimit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitete fetare. Një problem kaq serioz mund të zgjidhjet me pjesëmarrjen e të gjithëve dhe siguria nuk është vetëm problem i policisë, por është problem i të gjithëve. Fillon që nga familja, shkolla deri të niveli i jetës publike”, u shpreh ambasadori i OSBE
Deklaratat e tij u bënë gjatë aktivitetit për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Elbasan, ku u përmbyll një projekt kundër armëve të lehta. Gjatë këtij aktiviteti, u shfaq dhe posteri “Ne jemi këtu edhe për Martinin”, si simbol i solidaritetit dhe sensibilizimit për viktimat e dhunës në komunitet dhe ngjarjes së fundit që tronditi vendin.