Vrasja e civilëve në Gaza, Guterres: E drejta ndërkombëtare humanitare nuk mund të shpërfillet
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres shprehu edhe njëherë shqetësim të thellë për përshkallëzimin e bombardimit të Izraelit në Gaza. “E drejta ndërkombëtare humanitare vendos rregulla të qarta që nuk mund të shpërfillen.
Guterres dënoi gjithashtu vrasjen e civilëve në Gaza dhe shprehu shqetësimin që dy të tretat e të vrarëve në Rripin e Gazës janë gra dhe fëmijë. Ndërsa kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për qasje “urgjente dhe të pakufizuar” në Gaza për të ofruar furnizime shëndetësore.
“Ne kërkojmë që të garantohet lëvizja e sigurt për autokolonat humanitare nëpër Gaza dhe një pauzë e menjëhershme humanitare. Nuk ka kohë për të humbur. Çdo moment ka rëndësi”, tha shefi i OBSH-së.
Ghebreyesus e quajti shifrën e viktimave civile në enklavën e rrethuar palestineze “marrëzi” dhe tha se pa dërgesa në shkallë të gjerë, “tragjedia do të vazhdojë të shpaloset para syve tanë”. Presidenti turk Recep Tayip Erdogan shprehu mizoritë në Gaza në fjalimin e tij pas mbledhjes së kabinetit.
“Spitali i Miqësisë Turqi-Palestinë, ky institucion shëndetësor kritik që trajton pacientët me kancer, është bërë viktima e fundit e barbarizmit izraelit”, tha Erdogan.
Egjipti që po ndërton një spital fushor në kufi me Gazën, ka njoftuar se do të hapë pikë kalimin në Rafa që palestinezët e plagosur të përfundojnë trajtimin e tyre. Hamas nga ana tjetër ka njoftuar se do të lironte pengjet me shtetësi të huaj në ditët në vijim.
Ndërkohë i dërguari i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, tha para Këshillit të Sigurimit se lufta Izrael-Hamas po përhapet edhe në Siri. “Përhapja [e luftës] në Siri nuk është vetëm rrezik, por veçse ka filluar”, u shpreh ai.