Vrasja e ish- drejtorit të OST, Gjykata e Lezhës dënon me burg përjetë vrasësin me pagesë
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burg për jetë Dorjan Keqin, personi i akuzuar për vrasjen e Saimir Jakut. Ish-drejtori i Tensionit të Lartë për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutua më 2016. Keqi u dënua me burg për jetë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vetë Keqi gjatë gjithë kohës ka pretenduar se nuk është ai vrasësi i Saimir Jakut. Ngjarja ku u ekzekutua Jaku dhe u plagos miku i tij ndodhi më 9 shtator të 2016-ës, në një nga lokalet e Rrëshenit. Dëshmitarët thanë se një person i armatosur dhe i maskuar kishte dalë nga automjeti tip “Benz” dhe kishte qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Saimir Jakut. 33-vjeçari gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa u plagos Gjergj Prenga. Prenga po pinte kafe me viktimën. Policia e Lezhës mundi të zbardhë ngjarjen vetëm në 2022-shin, kur ndaloi drejtuesin e një mjeti në gjendje të dehur. Ky shtetas ishte pikërisht Dorian Keqi dhe pas ndalimit nga patrulla duke i dhënë makinës i dehur, ai u shoqërua në Komisariat e atje ju morën shenjat e gishtave. Por, nga analizimi i tyre specialistët e Policisë së Lezhës arritën të zbardhnin ngjarjen e vitit 2016. Rezultoi se gjurmët e gishtërinjve të 41-vjeçarit përputheshin me ato që ishin gjetur në bidonin me benzinë që u përdor nga autorët për djegien e makinës që u përdor ditën e krimit në Rrëshen.