Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata zgjat paraburgimin ndaj Naim Murselit dhe 2 të dyshuarve të tjerë

Liridona Ademaj 1
Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt iu është zgjatur paraburgimi edhe për 2 muaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Departamenti për Krime të Rënda, i kësaj gjykate, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit për tre të pandehurit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që tre të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 31.12.2023 deri më datë 29.02.2024”, thuhet në njoftim e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media.
Deri më tani për vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar 4 persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.