Vrasja e Liridona Ademajt, Kurti: Dënim maksimal ndaj autorëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në konferencën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” ka kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së Liridona Ademajt dhe ka kërkuar dënimin maksimal për autorët e tragjedisë.
“Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë ligjore, duke ndryshuar dhe plotësuar Kodin e Procedurës penale, duke ashpërsuar masat e për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje. Kemi përmirësuar qasjen në shërbime sociale, duke e ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to. Kujdesi për funksionimin e të gjithë mekanizmave ndërveprues, prej raportimit deri te trajtimi, hetimi, gjykimi, pra te drejtësia përfundimtare është dhe do të jetë prioritet i lartë në qeverinë tonë”, tha Kurti.
Kryeministri vuri theksin te nevoja për një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv dhe efektiv.
“Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë mbi supet e grave e vajzave, as mbi supet e fëmijve e pleqve, as mbi supet e të varfërve e të shtypurve, as mbi supet e personave të sfiduar në çfarëdo rrethane tjetër. Institucionet janë të obliguara të jenë gjithmonë përkrah atyre që u bëhet ndonjë padrejtësi. Si institucione e si shoqëri kemi për detyrë të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit.
Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi më tej. Është koha e fundit që të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku, ne që mendojmë e diskutojmë së bashku. Cinizmi e sarkazmi u ndihmojnë kriminelëve, janë mbështetje për dhunuesit. Duhet që shkollat publike e private, mediat publike e private, artistët e sportistët, personat që kanë ndikim në shoqëri, të gjithë t’i evitojnë mesazhet e porositë publike apo private, që mund të shihen si nxitëse apo justifikuese të dhunës dhe duhet të bashkohen në fushatën tonë kundër dhunës në bazë gjinor”, u shpreh Kurti.