Vrasja e Marigona Osmanit, gjykata vendos burg përjetë për partnerin Krivaqa
Gjykata Themelore e Ferizajt konfirmoi të hënën (29 korrik) dënimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun, të dy të pandehur për përdhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani tri vite më parë.
Ngjarja e 22 gushtit 2021 u përhap me bujë për shkak të zhvillimit të saj dhe tentativave të të pandehurit kryesor, Krivaqa, për t’u mbrojtur me faktin se vuante nga sëmundje mendore apo e kishte kryer krimin “nën ndikimin e lëndëve narkotike”.
Marigona 18-vjeçare bashkëjetonte me Krivaqën, kur partneri i saj me Sejdiun u bënë bashkë duke e torturuar brenda banesës së tij, duke e përdhunuar e pastaj duke e vrarë atë. Sipas aktakuzës “në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit. Vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik”.
Trupi i viktimës u braktis orë më vonë nga të pandehurit në dyert e spitalit në Ferizaj.
Krivaqa dhe Sejdiu u akuzuan edhe për veprën e përdhunimit, por organi i akuzës nuk arriti ta provojë. Në seancën fillestare, Sejdiu u deklarua i pafajshëm.