Vrasja e Nikulajt- Gjykata e Lezhës lë në burg pa afat portugezin Ruben Saraiva
Gjykata e Lezhës ka vendosur burg pa afat për portugezin Ruben Saraiva. Ky i fundit mbërriti pak më parë në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie.
Gjykata pas shqyrtimit të kërkesës për ndryshim të masës së sigurisë, vendosi të lërë në burg pa afat portugezin e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur më 19 prill të 2023-shit në Shëngjin.
2 muaj pas ekstradimit nga Maroku në Shqipëri, portugezi Saraiva kërkoi lirinë në Gjykatën e Lezhës.
Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ndërsa deri në këtë fazë hetimesh ai ka mohuar në vazhdimësi të ketë lidhje me vrasjen e Ardian Nikulaj.
Për vrasjen e Ardian Nikulajt më 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin, janë arrestuar edhe 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i këtij i kësaj vrasje. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.