Vrasja e policit në Kosovë, Begaj: Akt i organizuar. Ndërkombëtarët të reagojnë ndaj urdhëruesve
Presidenti Bajram Begaj ka dënuar ngjarjen e regjistruar në veri të Kosovës, ku grupe të armatosura kanë qëlluar në drejtim të Policisë së Kosovës, duke i marrë jetën një efektivi dhe duke plagosur një tjetër.
Begaj e konsideron ngjarjen një akt të organizuar kriminal dhe cenim të rendit të Kosovës. Presidenti i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti.
Kreu i shtetit thekson po ashtu edhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës.
“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. Ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, shkruan Begaj.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për sulmin, ndërsa nuk ka end e reagime nga politika në Serbi.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir (Jeffrey Hovenier) dënoi ashpër sulmet, duke kërkuar vendosjen e autorëve para përgjegjësisë.