Vrasja e policit në veri, Hasani: Akt kriminal. Shqipëria në krah të Kosovës
Ministri i Jashtëm, Igli Hasan, ka dënuar ngjarjen e rëndë të regjistruar në veri të Kosovës, ku një polic u vra dhe në tjetër mbeti i plagosur. Në një postim në Twitter, Hasani e konsideron ngjarjen “akt kriminal” që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Edhe njëherë, Ministri Hasani theksoi se Shqipëria qëndron në krah të Kosovës.
“Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet tona për familjen e oficerit të Policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe shërim të shpejtë efektivit të plagosur. Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, shkruan Hasani.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për sulmin, ndërsa nuk ka end e reagime nga politika në Serbi.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir (Jeffrey Hovenier) dënoi ashpër sulmet, duke kërkuar vendosjen e autorëve para përgjegjësisë.