Vrasja e policit në veri, Kurti: Sulm terrorist i organizuar me mbështetje nga Beogradi
“Një sulm terrorist” e ka konsideruar kryeministri Albin Kurti ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës, ku një polic ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Në një postim në Facebook, Kurti akuzon se sulmi është i organizuar me mbështetjen financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar.
Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se autorët e kësaj ngjarje do të kapen dhe do të marrin dënimin e merituar.
“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.
Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, shkruan Kurti.
Po ashtu, ai shton se ende vijojnë të shtënat me armë mbi policinë dhe se autorët janë profesionistë dhe të armatosur rëndë.
“Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, thekson Kurti.