Vrasja e policit në veri të Kosovës/ Golaj: Incidentet janë shtuar pas arrestimit të 3 të dyshuarve për krime lufte
Afrim Bunjaku, është rreshteri që mbeti i vrarë në orët të para të kësaj të diele, si pasojë e sulmit të ndërmarrë nga persona të armatosur në Leposaviq.
Duke folur për RTSH 24, kryeredaktori i agjencisë së lajmeve KosovaPress, Ideal Golaj shpjegoi edhe dinamikën e ngjarjeve që çuan në humbjen e jetës së oficerit të policisë, ku gjithçka ka filluar në orën 2.30 të mëngjesit kur ura në hyrje të fshatit Banjskë, në komunën e Leposaviqit u bllokua pas vendosjes së dy kamionëve pa targa në të.
Ndërsa u shpreh se nuk mund të dilte në përfundime se kush janë autorët e sulmit, Golaj vuri në dukje se bllokimi i rrugëve në veri është një mënyrë veprimi që është karakteristike e grupeve të organizuara ekstremiste të nacionalitetit serb që duan ta mbajnë të destabiliuar situatën në veri të Kosovës.
Golaj theksoi se rastet e cenimit të sigurisë në Veri janë shtuar sidomos pas arrestimit të te tre të dyshuare për krime lufte atje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përveç efektivit ë ka humbur jetën, me armë është plagosur edhe një tjetër, për të cilin mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën.
Një i tretë ndërkohë ka pësuar lëndime të lehta.