Vrasja e policit në veri të Kosovës/ SHBA reagon ashpër: Përgjegjësi të përballet me drejtësinë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir (Jeffrey Hovenier) i ka dënuar ashpër sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos 1 tjetër.
Për ambasadorin amerikan, përgjegjësi duhet të përballet me drejtësinë.
“SHBA i dënon ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme, ndaj Policisë së Kosovës në këtë mëngjes të 24 shtatorit. Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, tha Hovenier.
Hovenier shprehet se e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes të Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
“E mbështes plotësisht deklaratën e kolegëve të mi amerikanë. Autorët e këtij sulmi vrastar kundër oficerëve ligjzbatues të Kosovës duhet të vihen para përgjegjësisë. Në Kosovë duhet të vendoet sundimi i ligjit,” përsëriti ambasadori gjerman Jorn Rohde.
Autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë për kryerje të vrasjes.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar. Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Nga ana tjetër, Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në veri të Kosovës në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator), ku për pasojë ka mbetur i vdekur një polic.