Vrasja e zyrtarit të lartë të Hamasit në Bejrut rrit rrezikun për zgjerimin e konfliktit në rajon
Vrasja e një udhëheqësi të Hamasit në Bejrut ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal. Udhëheqësi i lartë i Hamasit, Saleh Al-Arouri u vra gjatë një shpërthimi në Bejrut, ndërsa një zyrtar amerikan tha se sulmi ishte kryer nga Izraeli edhe pse vendi nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për ngjarjen.
“Administrata e Bidenit nuk iu tha paraprakisht për operacionin”, tha zyrtari, sipas CNN.
Sulmi u dënua u dënua nga aleatët rajonalë të Hamasit, duke ngritur frikën për një përshkallëzim të mundshëm të luftimeve në Lindjen e Mesme. Kryeministri i Libanit, ndërkohë, akuzoi Izraelin se po përpiqet “të tërheqë Libanin në përplasje”.
Zëdhënësi izraelit, Mark Regev, nuk konfirmoi nëse ishte Izraeli që kishte kryer atentatin, theksoi se nuk ishte një sulm ndaj shtetit libanez.
“Kushdo që e bëri atë, duhet të jetë e qartë se ky nuk ishte një sulm ndaj shtetit libanez. Nuk ishte një sulm as ndaj Hezbollahut, organizatës terroriste. Kushdo që e bëri këtë bëri një sulm kundër udhëheqjes së Hamasit. Kushdo që e bëri këtë ka një konflikt me Hamasin. Kjo është shumë e qartë”, tha ai.
Arouri, 57 vjeç, është figura më e lartë e Hamasit që është vrarë që kur Izraeli hyri në luftë me Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit.