Vrasja në burgun e Peqinit, Mjacajt iu gjet një telefon disa muaj më parë. Policia kontrolle në banesat e familjarëve të tij
Detaje të reja janë zbuluar nga hetimi për ngjarjen në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. Autorit të vrasjes dhe plagosjes, Sokol Mjacajt, i është sekuestruar pak muaj më parë edhe një telefon brenda qelisë.
Grupi hetimor do të bëjë edhe zbërthimin e aparatit celular, për të hedhur dritë mbi komunikimet e të dënuarit përjetë dhe lidhjeve të tij të mundshme me grupe kriminale nga jashtë burgut. Hetuesit shpresojnë se aty mund të gjejnë materiale dhe biseda, të cilat do të japin drejtim në hetime.
Mbi dyshimet se vrasja e Arben Lleshit është bërë kundrejt pagesës, grupi hetimor mësohet të ketë urdhëruar kontrolle në dy banesa në Dukagjin, njëra e familjes së Mjacajt dhe tjetra e vëllait të tij. Por nga ky kontroll nuk është bërë e mundur gjetja e të dhënave që mund të ndihmojnë në këtë version. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe 13 personat e tjerë të arrestuar për shpërdorim detyre, mes tyre drejtori i burgut Kamber Hoxha dhe funksionarët e tjerë.
Ata kanë shpjeguar vetëm për rolin e pozicionit të tyre në punë, pa dhënë më tej shpjegime. Nga hetimi i deritanishëm rezulton se Sokol Mjacaj kreu vrasjen dhe nisi të kërcënojë të tjerët se do i vriste, moment kur edhe ka kërkuar drejtorin e burgut për të negociuar.
Pas dorëzimit përmes këtyre negociatave për sigurimin e jetës është konstatuar se në pistoletën e tij nuk kishte më plumba.
Tetë vite pasi vrau 2 turistët çekë në Dukagjin, i dënuari përjetë Sokol Mjacaj kreu vrasje sërish kësaj here brenda burgut. Me një pistoletë me mulli, ai qëlloi brenda në qeli të dënuari për vrasje Arben Lleshi duke plagosur edhe shokun e tij të qelisë.
Ngjarja dyshohet si vrasje me pagesë për hakmarrje pasi viktima ishte dënuar me 32 vjet për ekzekutimin e Agim Hoxhës të cilit i dogji dhe trupin në vitin 2012. Pas atij krimi, Lleshit i kanë vrarë dy xhaxhallarë e dy të afërm.