Vrasja në Shkodër, i riu pranon autorësinë: Më ndau motrën, shpërndante video intime të saj
Arjon Hasaj ka pranuar se është autor i vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, e cila ndodhi më 4 janar në fshatin Dragoç, Shkodër. Gjatë dëshmisë së tij në polici, 29-vjeçari ka shpjeguar se vrasja ka ndodhur si pasojë e një lidhjeje që Mataj kishte pasur me motrën e tij për rreth 6 vjet.
Autori ka theksuar se ky person kishte shkatërruar dy martesa të motrës dhe kishte shpërndarë video intime të saj, çka e ka nxitur për të kryer vrasjen.
Sipas deklaratës së tij, ai ka përdorur një llogari të rreme në Instagram për të nxjerrë në pritë Matajt, dhe atje e ka qëlluar me armë zjarri. Pas krimit, ai ka fshehur armën dhe ka ikur me biçikletë.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Ndërkohë, vëllai i tij, Klinsman Hasaj, ka mohuar çdo dijeni për vrasjen dhe ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.
“Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, tha Klisman Hasaj.
Vëllezërit u zbuluan nga policia pas përgjimit ët tyre dhe në momentin kur autori Arjon Hasaj shkoi të merret armën e fshehur në pyll për ta groposur më pas në oborrin e banesës së tij.
Arrestimi i autorëve u realizua pas një hetimi të detajuar, që përfshinte prova filmike dhe veprime hetimore të përbashkëta. Arjon Hasaj është arrestuar për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, ndërsa Klisman Hasaj për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
33-vjeçari Ramazan Mataj u vra në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër, ngjarje që ndodhi më 5 janar. Mataj u gjet i pajetë nga banorët e fshatit brenda një makine, të cilët më pas lajmëruan policinë.