Vrau për një orë dhe varëse floriri, prokuroria e Lezhës kërkon burg përjetë për Kristian Cenajn
Kristjan Cenaj, i akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2015 në Fushë Kuqe të Kurbinit, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Kjo është pretenca që do të kërkohet nga prokuroria e Lezhës pas konkluzioneve të depozituara në Gjykatën e Lezhës nga prokurori Françesk Ganaj. Vendimi do të jetë në duart e gjykatës në gjyqin ndaj Kristjan Cenajt, ku trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Aldi Kareco do të japë vendimin ndaj 31-vjeçarit Cenaj. Ky i fundit ndodhet në parburgim, pasi u arrestua në tetor të vitit 2022 me kërkesë të prokurorisë Lezhë. 16-vjeçari Mariglen Gjonaj u zhduk dhe ishte nëna e tij që ngriti dyshimin se pas ngjarjes fshihej Kristjan Cenaj. Nëna e të ndjerit do të deklaronte në vitin 2015 se personi i fundit me të cilin kishte qënë i biri ishte pikërisht Cenaj, një bashkefshatar i tyre. Dyshimet janë se adoleshenti u vra për t’i marrë varësen e floritit dhe një orë rolex që mbante në dorë. Ekzaminimet mjeko-ligjore, të kryera pas gjetjes së trupit të viktimës në prill të vitit 2022, identifikuan një dëmtim në kokë që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e goditjes me sende të forta që i kanë shkaktuar atij edhe vdekjen. Autori i dyshuar, Kristjan Cenaj, mendohet se ka vepruar i vetëm për grabitjen dhe vrasjen e adoleshentit, konkluzion që është arritur nga prokuroria, e cila kreu disa hetime për ngjarjen. Kristjan Cenaj ishte mbajtur nën vëzhgim pas gjetjes së kufomës së dekompozuar në rrugën e fshatit Adriatik të Fushë Kuqes për t’u arrestuar ndërsa po kthehej nga Italia në aeroportin e Rinasit, ku jetonte prej vitesh.