Vreshtari dhe ullishtari prej më shumë se 25 vitesh, kantina në Hajmel zgjerohet në agroturizëm
Në Hajmel, të Shkodrës Zef Pashuku ka ngritur Kantinën Zadrima, ku prej më shumë se 25 vitesh merret me vreshtari dhe ullishtari, duke investuar në zhvillimin e kultivarëve autoktonë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale shembullin e këtij agroturizmi, teksa vuri në dukje se, vitet e fundit, kjo kantinë ka zgjeruar aktivitetin edhe me një restorant.
Kantina pikë agroturistike pret turistë vendas dhe të huaj që kanë mundësinë të shijojnë produkte cilësore të verës dhe rakisë, shoqëruar me shijen e ushqimeve tradicionale shqiptare.
Denaj tha se, gjithashtu, në Kantinën Zadrima po përgatitet një ekspozitë produktesh lokale, ku vetë kantina dhe fermerët e zonës do të ekspozojnë produktet e tyre ‘Made in Albania’.