Categories: LajmePolitikëRajoni

Vuçeviq: Qeveria e re e Serbisë do të mbajë miqësi me Kinën, Rusinë dhe SHBA-në

Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Por, ai shtoi se “fakti që procesi është i ngarkuar nga kriteret e reja politike nuk mund të injorohet”.

Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Në prezantimin e tij, Vuçeviq “theksoi posaçërisht” rëndësinë e partneritetit me Kinën, duke vlerësuar se marrëveshja tregtare do të hapë dyert e tregut kinez për biznesmenët.

“Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të shumë njerëzve në Perëndim, për ne Kina përfaqëson një vend mik, një partner dhe një aleat të besueshëm në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”, shtoi ai.

Ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Kinës nuk do të ndryshojë dhe shtoi se mezi pret vizitën e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili do ta vizitojë Serbinë më 7 dhe 8 maj.

Vuçeviq gjithashtu tha se Serbia do të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Aty ku ka mosmarrëveshje, si për Kosovën, ne do ta përsërisim qëndrimin tonë, do të punojmë që partnerët tanë amerikanë të na dëgjojnë dhe kuptojnë”, shtoi Vuçeviq.

Ai gjithashtu tha se Serbia do të bëjë gjithcka për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto deklarata, Vuçeviq i bëri gjatë prezantimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Serbisë në seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Qeveria e re do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol. Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – ndër të tjera për shkak të lidhjeve me Rusinë – është propozuar të rikthehet në kabinet si zëvendëskryeministër.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë po kthehet në Qeveri – Nenad Popoviç, si ministër pa portofol.

Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re është 6 maji.

Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, akuzuan koalicionin e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet për vjedhje zgjedhore.

Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor në Serbi janë vënë në dukje nga misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.

Autoritetet kanë mohuar vazhdimisht se ka pasur parregullsi më të rënda zgjedhore.

Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon nga autoritetet në Serbi të lehtësojnë një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara, me referencë të veçantë për zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Beogradit.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Kupa e Botës 2026: Ndahen vazot për shortin e kualifikueseve, Shqipëria pozicionohet në vazon 3

Pas përfundimit të ndeshjeve të grupeve të UEFA Nations League, janë ndarë vazot për shortin…

19 hours ago

“Libra të një kohe tjetër” – Ekspozitë historike me tekstet shkollore të periudhës së diktaturës

“Libra të një kohe tjetër” është ekspozita me karakter historik, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti”…

19 hours ago

PL prezanton programin në Shkodër -Blushi: Askush nuk mund të nëpërkëmbë fatet e këtij qytetit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një takim me strukturat…

19 hours ago

Digjitalizimi i xhubletës – Dy vite nga pranimi në UNESCO, veshja e lashtësisë ka sfidat e saj

Xhubleta, kjo veshje që dikur shtrihej në pellgun e Mesdheut, sot ndodhet e ruajtur dhe…

19 hours ago

“Ditët e Mjedës” – Edicioni i XIX i manifestimit artistik, kulturor dhe promovues

Qendra muzeore “Ndre Mjeda” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të UNISHK, Bashkinë Vau-Dejës…

19 hours ago

Rrjeti elektrik i amortizuar – Banorët e Samrishit të Poshtëm: Qëndrojmë me orë të tëra pa energji elektrike

Mungesa e energjisë elektrike në fshatrat e njësisë administrative të Dajçit në bashkinë e Shkodrës…

19 hours ago

This website uses cookies.