Vuçiç konfirmon takimin me Kurtin brenda javës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Pas dy-tre ditësh pres që unë dhe Kurti të shkojmë sërish në Bruksel”, tha Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Megjithatë, ai u shpreh se nuk mund të flasë më shumë për takimin, i cili sipas tij është në përputhje me atë që ka diskutuar me diplomatët perëndimorë që ishin të shtunën në Beograd dhe Prishtinë.
“Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. Detyra jonë është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, tha Vuçiç.
Pas më shumë se një muaji trazirash dhe heshtje të dialogut kjo do të jetë tentativa e Brukselit për të ulur gjakrat mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do të takohet me kryeministrin Albin Kurti pas dy ose tri ditësh.
Për përmbajtjen e këtij takimi ka pak informacione, por thuhet se i obligojnë palët për disa hapa që do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për herë të fundit më 14 shtator.
Dhjetë ditë më pas ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura sulmuam policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për këtë sulm, Serbia tha se ai është kryer nga një “grup i serbëve të dëshpëruar lokalë”.
Në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezën e bisedimeve, diplomatë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd, ku paraqitën kërkesat e tyre.