Vuçiq: Deri në frymën time të fundit do të mbroj interesat kombëtare dhe popullin tonë në Kosovë
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, në takimin parazgjedhor në Krushevc, ka deklaruar se do të mbrojë gjithnjë interesat e popullit serb në Kosovë.
Ai u shpreh se do të vijojë të përkrahë popullin serb në Kosovë, edhe pas sulmit në Banjskë, teka garantoi se nuk do t’i lërë kurrë në baltë.
“Sido që të ndodhë, ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë para dhe pas Banjskës, dhe do të jemi gjithmonë me serbët që jetojnë në Kosovë. Dhe nuk do t’i lëmë kurrë në baltë. Detyra jonë është të sigurojmë të ardhme më të mirë”, tha Vuçiq.
Më 24 shtator një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që vazhduan përgjatë asaj dite tre nga sulmuesit mbetën të vrarë në një ngjarje që ngriti shqetësime të shumta për qëndrueshmërinë në rajon.
Kosova akuzoi Serbinë për organizimin e sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar mohoi çdo lidhje me grupin e armatosur.
Tensionet mes Kosovës e Serbisë u shtuan edhe më shumë prej sulmit në Basnjkë, e dy vendet ende nuk kanë arritur një dakordësi për normalizim të situatës, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.