Vuçiq flet me Trampin: I jam mirënjohës, do forcojmë partneritetin
Serbia pret që të përmirësojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara kur në krye të vijë presidenti i zgjedhur Donald Tramp (o. Trump).
Presidenti Aleksandar Vuçiq bisedoi të dielën në telefon me presidentin republikan për ta uruar për zgjedhjet dhe për kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë.
“Unë i jam mirënjohës Trampit, që di shumë gjëra për Serbinë. Folëm madje edhe për sukseset sportive të vendit tonë. E përdora këtë mundësi, me dëshirën për të zhvilluar më tej raportet tona në të gjitha sferat shoqërore, dhe i shpreha shpresën që ai do ta vizitojë Serbinë, sepse Serbia ishte një vend ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Tramp ishte ndër më të mëdhatë në gjithë Europën,” tregoi Vuçiq përmes një videoje në rrjetin Instagram.
Presidenti serb e uroi ish-kryetarin e SHBA-së shumë shpejt pasi ai shpalli fitoren në zgjedhje, duke thënë se “së bashku përballemi me sfida serioze përpara nesh” dhe se duhet “stabilitet, prosperitet dhe paqe”.
Ardhja e presidentit Tramp në zyrën ovale shihet me interes për raportet Kosovë–Serbi, pasi kur republikani ishte në pushtet katër vite më parë bëri që dy shtetet e Ballkanit të nënshkruajnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Atëherë hapat e parë u hodhën për të përmirësuar lidhjet ekonomike mes dy vendeve, ndërsa gjatë ceremonisë së firmosjes në 4 shtator 2020, këshilltari i presidentit Tramp për Sigurinë Kombëtare, Robert O Brajen (O’Brien) shtoi se “me rritjen e lidhjeve ekonomike, mendoj se ka për të pasur edhe zgjidhje politike për çështjet e pambyllura“. /RTS