Vuçiq: Po kërkojmë zgjidhjen më të mirë për serbët në Kosovë, njerëzit nuk mund të qëndrojnë të uritur
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) ka deklaruar se do të kërkojë zgjidhjet më të mira për popullin serb dhe garantoi se qytetarët nuk mund të mbeten të uritur, duke iu referuar vendimit të Prishtinës zyrtare për heqjen e dinarit serb.
Vuçiq u shpreh se ende nuk ka zgjidhje për heqjen e dinarit në Kosovë dhe se do të informojë opinionin kur të ketë.
“Kur ta di se cila do të jetë zgjidhja, do t’ju informoj”, tha Vuçiq.
Ai ka shtuar se në Mynih, ku ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ka pasur një takim me të gjithë ata që janë të rëndësishëm për Serbinë.
Presidenti tha se autoritetet shtetërore po bëjnë punën e tyre dhe po bëjnë hetime lidhur me ngjarjet në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.
“Është shumë e çuditshme (që Interpoli lëshoi një urdhër për Milan Radojicic). Ai nuk është më as nënkryetar i Listës Serbe, por aleat i Vuçiqit. Është pothuajse si Antanta e Vogël, Antanta e Madhe, pra është aleat i Vuçiqit. Sepse ai është aleat i Vuçiqit. çdo gjë ju ka dështuar nëse nuk e keni sulmuar Vuçiqin”, ka thënë presidenti serb.
Ky i fundit tha se “autoritetet tona shtetërore po bëjnë punën e tyre dhe po kryejnë një hetim dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat”.