Xhesika Polo: Lumturia? Duhet ta gjejmë te vetja. Jam në 100-përqindëshin tim!
2024 ka qenë një vit “modestisht i shkëlqyer” për këngëtaren Xhesika Polo. Këtë e pranoi ajo vetë të enjten në intervistën për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH 1.
Polo ishte pjesëmarrëse në një “reality show”, për të cilin tha se e rizgjoi në aspektin personal.
“Pjesëmarrja në ‘reality show’ ishte një sfidë e madhe, por edhe një rritje e madhe. Unë jam natyrë solitare, edhe pse kam zgjedhur një profesion që të jem në kontakt me shumë njerëz. Të jetoje 84 ditë me 16 individë ishte një sfidë e madhe. E mora si një detoks: dy muaj e gjysmë detoks nga jeta urbane, kaosi i përditshëm. Kur dola nuk doja të prekja cigare me dorë,” u shpreh këngëtarja.
Gati tre muaj e ndarë nga jeta virtuale dhe artistike, Polo tha se e mbyllur arriti të rrëfejë anën njerëzore, por edhe temperamentin e saj luftarak. Komentet pas daljes nuk e ndrydhën.
“Ne jemi pak shoqëri ksenofobe, kemi siklete, tendencën për të paragjykuar. Flokët, fytyra… këto komente nuk më prekin fare.
Ne e kërkojmë lumturinë në çdo vend, por do them një klishe tani: vetja. E kërkojmë lumturinë nëpër gjëra materiale, njerëz, skuta, kujtime, karrierë apo punë, por duhet të ndalemi dhe të kujdesemi për veten. Kur fillova të isha më e qetë dhe e dashur me veten kujtova që këtë vajzën e vogël dhe të madhe nuk e kisha lënë unë rehat, kisha bërë unë zgjedhjet e gabuara që ajo nuk ndodhej në vendin e duhur. Kështu që vetja është e para!
Në aspektin personal besoj se jam në 100-përqindëshin tim,” shtoi artistja.
Polo zbuloi se do të ndërmarrë disa hapa që do të kenë në fokus lumturinë e saj.
“Kam vendosur të jem pak më radikale. Nuk dua ta kthej në rutinë punën time. Sigurisht që do bëj një këngë. Do bëj një bashkëpunim me një djalë, me një burrë tek të dyzetat,” e përfundoi ajo intervistën duke qeshur.