Xhixho depoziton në Kuvend ndryshime në Kodin Penal: Ashpërsim i masave për abuzimin ndaj të miturve
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në bashkëpunim me CRCA / ECPAT Albania, ka depozituar në Kuvend projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Xhixho ka theksuar se këto ndryshime në Kodin Penal marrin një rëndësi të madhe pas rastit të mjekut kirurg Dervish Hasi, i cili është arrestuar dhe po hetohet për abuzim seksual.
“Rasti i një mjeku kirurg që është arrestuar dhe po hetohet për abuzim seksual me një 16-vjeçare të mashtruar në moshën 14-vjeçare , në fakt nuk është i fundit në morinë e shumë të tillave. Të “veçantë” e bën këtë rast fakti që vajza konsiderohej apo trajtohej prej mjekut kirurg si gruaja e katërt e tij”, nis postimin në rrjetet sociale Xhixho.
“Dhe siç ndodh rëndom në të tilla raste, reagimi erdhi vetëm pasi rasti u bë publik dhe për shkak të ndërhyrjes së policisë dhe prokurorisë! Reagime të tilla post factum në fakt zbulojnë shumë defekte dhe mangësi në tërësinë e institucioneve që kanë për detyrë parandalimin e akteve të abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve dhe ndaj grave”, shkruan Xhixho.
“Duke vërejtur se mangësi ka edhe në legjislacionin tonë penal, pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta që janë bërë, e konsideroj domosdoshmëri ashpërsimin e ligjit penal për çdo veprim që cenon të miturit.Ndaj, edhe si nënkryetare e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijeve” në bashkëpunim me CRCA / ECPAT Albania , kam depozituar në Kuvend projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, duke propozuar: dënimin nga 10-15 vjet burg për cilindo të rritur që kryen veprime apo marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 16 vjeç; Dënimin me tridhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm në rastet kur vepra sjell si pasojë zhdukje, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës, dënimin me 7-10 vjet të akteve si nxitja, shtytja apo manipulimi i fëmijës për ta shtyrë drejt marrëdhënieve seksuale etj”, thekson Xhixho.