Xhixho: Studentët e mjekësisë e mundën qeverinë
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka komentuar nëpërmjet një reagimi në faqen e saj sociale vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve të mjekësisë duke shfuqizuar disa nene në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve .
Studentët e Universitetit të Mjekësisë, shkruan Xhixho, ia dolën ta mundin qeverinë dhe mazhorancën e saj.
“Gjykata Kushtetuese iu dha të drejtë. Ligji antikushtetues me të cilin qeveria kishte planifikuar t’u mbante peng diplomat mjekëve të rinj rikthehet në Kuvend, aty ku u miratua me kartonat e shumicës që e hartoi”, shkruan Xhixho.
Ndaj shkruan ajo, kjo është beteja e fituar e mijëra studentëve që besuan në kauzën e tyre e bashkë me ta edhe e deputetëve të opozitës që u dolën në mbështetje që ditën e parë.
“Kauza e tyre është e drejtë dhe ne do ta mbrojmë sërish në Kuvend sepse besojmë fort se liria duhet të qëndrojë në themel të funksionimit të shtetit”.
Për deputeten Erisa Xhixho ky vendim duhet ti shërbej kthimit të shpresës që studentët të bëjnë zgjidhjen e parë Shqipërinë dhe mos të detyrohen me ligj.
“Besojmë fort te një Shqipëri që të rinjtë e zgjedhin si vendin ku do të ndërtojnë të ardhmen e tyre, pa qenë nevoja t’i detyrojmë me ligj. Sot u fitua një betejë dhe kjo jep shpresë për hapin e radhës! Bashkë ia dalim”, përfundon Xhixho.