“Yare in Jazz” në muzeun historik/Dyshja Artan Bakija dhe Markelian Kapidani gërshetuan folkun me xhazin
Muzeu Historik në Shkodër priti një tjetër natë të “Shkodra Sounds”. Në këtë mbrëmje muzikore erdhën të gërshetuara jaret shkodrane e gjakovare me ritmin jazz. Protagonistët kryesorë ishin Artan Bakija dhe Markelian Kapidani.Nismëtari i këtij projekti, pa të cilin ky produksion nuk do të kishte marrë jetë, është kantautori dhe interpretuesi i njohur i këngëve popullore, Artan Bakija, i cili mori iniciativën për të realizuar tetë këngë të përzgjedhura nga repertori i tij: katër shkodrane dhe katër gjakovare. Maestro Kapedani ka disa vite që merret me studimin e Ahengut shkodran, me qëllim krijimin e një teorie të mundshme kompozicioni bazuar në të. Motivimi për këtë studim buron nga kureshtja për muzikën e trashëguar, por edhe nga fakti se muzika e traditës shkodrane nuk ka njohur ndonjë zhvillim të ri për vite me radhë, duke u riprodhuar kryesisht në formën e saj tradicionale. Fundi i kësaj mbrëmje ishte i veçantë teksa publiku këndoi bashkë me këngëtarin Bakija këngën shkodrane “Si dukat i vogël je”.