Eventi “Yare in Jazz” sjell tingujt e traditës shqiptare në një fuzion me Jazz-in, më 29 Gusht 2024 në Muzeun Oso Kuka
Më 29 Gusht 2024, në orën 20:30, në Muzeun Oso Kuka do të gjeni skenën një ngjarjeje të veçantë muzikore. Eventi “Yare in Jazz“ do të prezantojë një projekt unik nga Markelian Kapedani dhe Artan Bakija.
***
“Yare in Jazz” është një projekt ambicioz, ashtu si shumica e projekteve ku merr pjesë maestro Markelian Kapedani, i cili vazhdimisht tenton të sjellë risi përmes muzikës së tij. Siç kemi parë edhe herë të tjera me projekte si “Balkan Piano“, “Balkan Bop,” dhe “Euphonia Jazz Project,” tendenca e maestro Kapedanit është përzierja artistike (por edhe shkencore) e materialeve muzikore. Kjo karakteristikë është bërë tashmë tipari i tij dallues ndër artistët e tjerë të jazz-it. Në albumet e tij, maestro Kapedani kujdeset gjithashtu për të përfshirë shpjegime të detajuara në një kontekst teorik muzikor. Kjo është mjaft interesante për amatorët e muzikës, pasi përmes këtyre shpjegimeve ata marrin informacione rreth procesit të fuzionit muzikor që ndodh në krijimtarinë e tij.
Maestro Kapedani ka disa vite që merret me studimin e Ahengut shkodran, me qëllim krijimin e një teorie të mundshme kompozicioni bazuar në të. Motivimi për këtë studim buron nga kureshtja për muzikën e trashëguar, por edhe nga fakti se muzika e traditës shkodrane nuk ka njohur ndonjë zhvillim të ri për vite me radhë, duke u riprodhuar kryesisht në formën e saj tradicionale. Ndërkohë, si në pjesën tjetër të botës, edhe në Shkodër janë futur në përdorim instrumente moderne si basi elektrik, sintetizatori, etj., ndërsa nga ana teknike, kompozicioni nuk ka pësuar ndonjë zhvillim konkret, por vetëm përsëritje pas përsëritjeje.
Këto arsye na çojnë te projekti konkret: “Yare in Jazz.”
Nismëtari i këtij projekti, pa të cilin ky produksion nuk do të kishte marrë jetë, është kantautori dhe interpretuesi i njohur i këngëve popullore, Artan Bakija, i cili mori iniciativën për të realizuar tetë këngë të përzgjedhura nga repertori i tij: katër shkodrane dhe katër gjakovare. Këto këngë luajnë një rol të rëndësishëm, pasi theksojnë atë lidhje të padukshme muzikore që ekziston mes Shkodrës dhe Gjakovës. Nuk është hera e parë që bëhen tentativa të tilla me muzikën tonë tradicionale me qëllim për ta internacionalizuar atë, dhe është pikërisht kjo përpjekje që bën të mundur njohjen e disa artistëve tanë jashtë kontekstit shqipfolës.
Këto këngë do t’i dëgjoni jo si zakonisht, duke i dëgjuar të transmetuara nga radioja apo televizioni ndërsa merremi me punët tona, por do t’i përjetoni në një mënyrë të re, të plotë në kontekstin e një muzeu.
“Yare in Jazz” një përpjekje konkrete për ta emancipuar muzikën shkodrane, duke e ngritur atë në një rang kompozicional më të lartë, përmes arranxhimeve dhe improvizimit jazz. Një produksion i realizuar me profesionalizëm, që përfaqëson një mundësi konkrete për një jazz të mbushur me ngjyrat e muzikës sonë.