“Youth Theater” ul siparin, fituese u shpallën shkollat e mesme “Jordan Misja” dhe “Shejnaze Juka”

Shfaqja “Fëmijët e rrugës” e nxënësve të shkollës së mesme “Oso Kuka” me regji të aktores së teatrit “Migjeni”, Merita Smaja ishte e fundit në serinë e netëve të festivalit teatror për të rinj “Youth Theater”.
Në përfundim, juria profesioniste vlerësoi dy nga shkollat pjesëmarrëse si më të mirat e edicionit të pestë të festivalit. “Jordan Misja” dhe “Shejnaze Juka” u shpallën fituese me shfaqjet e tyre në festival.
Drejtori i teatrit “Migjeni”, Arian Çuliqi vlerëson me nota pozitive festivalin, i cili në këtë vit angazhoi 112 të rinj që prekën magjinë e skenës.
Ky festival evidentoi disa të rinj që spikatën në fushën e aktrimit.
Edicioni i pestë i festivalit teatror për të rinj zgjati 8 netë dhe në të u përfshinë shkolla të mesme të Shkodrës dhe njësive administrative të saj. Spektatorët e pranishëm në teatrin “Migjeni” shijuan drama dhe komedi të realizuara nga të rinjtë nën kujdesin e trupës së aktorëve profesionistë të teatrit “Migjeni”.