Zaganjori dhe Dodaj 3 vite kuqeblu, KF Vllaznia, firmos dy talentet e Akademisë, priten firma të tjera
Ashtu siç kishin deklaruar edhe më heret, drejtuesit e Vllaznisë po vijojnë proçesin e riorganizimit të skuadrës së parë për të qënë gati në pjesëmarrjen e Kupave të Europës. Hapi i parë në këtë drejtim u hodh me rinovimin e kontratave me dy qëndërmrojtësit Stojanoviç dhe Juriç, ndërkohë që në vijim erdhi firma me mesfushorin fantazist kroat, Amir Kahrimanoviç, me të cilin u nënshkrua një kontratë njëvjeçare. Ndërkohë, Klubi i Futbollit Vllaznia, ka nënshkruar një kontratë 3- vjeçare edhe me dy talentet e Akademisë Vllaznia, Ersi Zaganjori dhe Kevin Dodaj. 19 vjeçarët, që i përkasin, i pari mesfushës dhe i dyti sulmit, kanë qënë gjatë gjithë sezonit të kaluar pranë skuadrës së parë, ndërkohë që janë aktivizuar edhe me Vllazninë U-19 dhe Vllazninë U-21. Minutat e marra pranë skuadrës së parë, kanë treguar cilësi duke marrë vlerësime pozitive. Ka qënë kjo arsyeja, që pas Ok të dhënë nga sektori teknik me në krye drejtorin Tefik Osmani, ka bindur presidentin Alban Xhaferi që të zyrtarizojë firmosjen e një kontrate 3- vjeçare me dy talentet shkodranë, Ersi Zaganjori dhe Kevion Dodaj. Burime zyrtare pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se stafi përkatës vazhdon punën për plotësimin e skuadrës edhe me emra të tjerë, me të cilët janë në bisedime, ndërkohë që në krahun tjetër vazhdojnë edhe largimet e disa prej futbollistëve të huaj që nuk binden sezonin e kaluar, ku dy të parët janë sulmuesi Gomesh dhe mbrojtësi Ajderaviç.