Zaptoi foltoren e Kuvendit, Nikolla përjashton nga seanca Lulzim Bashën
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca plenare kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ky i fundit kërkonte marrjen e fjalës për procedurë, por kryeparlamentarja nuk e ka lejuar, duke i kërkuar disa herë që të lironte foltoren e Kuvendit.
“Do ju përjashtoj per zaptim foltoreje. Lironi foltoren. Nuk ua jap fjalën. Nuk po i përmbaheni procedurës. Mos pengoni rendin e ditës. Ua dhashë tre herë fjalën për procedurë. Jeni i përjashtuar nga seanca”, tha Nikolla, vendim ky që u duartrokit nga Rithemelimi.
Por pavarësisht vendimit të saj, kryedemokrati nuk ka pranuar të largohet nga foltorja, duke detyruar Nikollën të caktojë 5 minuta pushim për seancën.
Basha ka marrë disa herë fjalën për prcedurë në seancën e sotme, duke u ndalur te buxheti i vitit 2024 dhe komisioni për Reformën Zgjedhore.