Zbardhen dy raste të vjedhjes së një dite më parë – Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar
Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë dy raste të vjedhjeve të ndodhura një ditë më parë, si dhe ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se , si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbradhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale G. B., 23 vjeç, banues në Shkodër, me precedent kriminal për vjedhje dhe shitje të lëndëve narkotike.
Të njëjtat burime sqarojnë se , ky shtetas, ditën e djeshme, ka vjedhur me thyerje, një shumë parash, pije alkoolike dhe një kamer sigurie, në një qebaptore në lagjen “Vasil Shanto”, si dhe një shumë parash në një lokal, në të njëjtën lagje.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 23-vjeçarit, një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me kamerën e sigurisë të vjedhur dhe një pjesë të parave të vjedhura.